Shpirtin e la nëpër këngë

Nga Sadedin Mëzuraj

Nderim për rapsodin e Labërisë, Zaho Balili

Kënga labe, ajo e traditës dhe e bashkëkohësisë, është një det i gjerë ku janë derdhur si ujëra të kristalta prurjet e çdo krahine, fshati dhe grupi polifonik, nga Bënça në Pilur, nga Gjirokastra në Vlorë, nga majat e Kurveleshit në kodrinat e Mallakastrës. Edhe pse kënga isopolifonike ka ardhur nga mugëtira e kohërave si krijimtari anonime, në zhvillimin dhe pasurimin e kësaj tradite të shkëlqyer kanë lënë gjurmët e tyre individualitete krijuese, rapsodë, bartës dhe interpretues virtuozë.
Krijuesit dhe rapsodët që kanë krijuar një emër të vlerësueshëm në panteonin e isopolifonisë labe kanë ushqyer nëpër kohëra zjarrin e pashuar të kësaj kënge magjepsëse, duke sjellë në këtë kopësht përhershëm të lulëzuar vargje dhe tekste me aromën e shpirtit, të krahinës dhe kohës së tyre.
Në këtë vazhdë e mbi gjurmët e kësaj tradite të shquar, eci edhe rapsodi i Labërisë, biri Rexhinit, Zaho Balili. Me tekstet e tij dhe aktivitetin si drejtues i grupeve folklorike, Zaho Balili krijoi një profil të spikatur në fushën e vjershërimit popullor dhe këngës polifonike labe.
I rritur në një mjedis ku kënga labe kishte konakun e saj, rapsodi i ardhshëm që në vogëli do të ndiente magjinë e të kënduarit labçe dhe drithërimën e valleve të rënda të burrave kurveleshas. Jehonën e këngëve labe të Rexhinit ku kaloi fëmijërinë do ta ndiqnin edhe në Tepelenën- vatër të trimërisë dhe buronjë të folklorit. Shpirtin me ndjesitë e artistit do t’i shprehte qysh në vitet e shkollës e më vonë, në aktivitetet e shumta kulturore-artistike në Qëndrën e Kulturës në Tepelenë, si recitues, konferencier, organizator dhe aktor në pjesët e vëna në skenë nga trupat joprofesioniste teatrore të institucioneve e ndërmarjeve të ndryshme ku punoi.
Aktivitetin dhe përvojën e tij si krijues me grupet polifonike të Gusmarit, Rexhinit, e zhvilloi më tej si drejtues i Vatrës së Kulturës në Hormovë, ku organizoi grupin polifonik të këtij fshati, i cili spikati në skenat e festivaleve folklorike (1988, 1992, 1996). Kënga me tekstin e tij Flaka mbuloi fshanë, e kënduar nga grupi i Hormovës, fitoi kurorën e çmimit të parë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1988. Ndërkohë, dhjetëra tekste këngësh të thurura prej tij, me kalimin e viteve, u bënë pjesë e repertorit të grupeve të ndryshme isopolifonike.
Ata që e kanë njohur, miq, bashkëqytetarë e bashkëpunëtorë të tij në grupet polifonike labe, në aktivitete kulturore dhe festivale, do ta mbajnë mend si njeri me zemër bujare dhe shpirt të paqtë, të buzagaztë dhe hokatar në tavolina, shpërfillës për anën materiale të jetës dhe të ndjeshëm për ngjarjet dhe rrokullimat e viteve të para të tranzicionit demokratik të vendit.
Me shpirtin e tij atdhetar dhe human, përjetoi me pikëllim dhe poetizoi dhimbjen për braktisjen e vendit nga të rinjtë, traumat me të cilat përballej shoqëria në vitet e ndryshimeve të shpejta demokratike. Zemra e poetit rreh me zemrën e kombit dhe, si një sizmograf, regjistron lëkundjet, tronditjet dhe dhimbjet e lindjes së shoqërisë së re:
Shqipëria për një natë/Ish e re u bë plakë/ Ish e re u gdhi gërmuqe/Njëmijë halle mbi supe.
Në këto vite jo të qeta, muza poetike iu bë shoqja e zemrës dhe shkroi dhjetëra këngë e vjersha poetike. Krijimtarinë e re, bashkë me vjershat e hedhura ndër vite në “fletorkat e natës”, e botoi në tre libra njëri pas tjetrit: Paskan çelur manushaqet (1997), Drithërimat e pranverës (1998), Brengat e shpirtit (1999). Titujt poetikë të librave mbarin simbolikisht diagramën e shpirtit dhe kohës kur u shkruan.
Zaho Balili ngutej. Ndoshta një engjëll paralajmërues i kishte pëshpëritur “fatin e shkruar” që të nxitonte. Sepse në 2 tetor 2001, kur priste të festonte pesëdhjetë vjetorin e lindjes, ndërroi jetë në Athinë, ku kishte mërguar prej disa vitesh me familjen.
Pas vdekjes, nën kujdesin e familjes, u botuan dy libra të tjerë me këngë e poezi, (Lot Kurbeti, Puth ballin tënd, Shqipëri) dhe dorëshkrimi në prozë “Kur dy zemra dashurohen”.
Si njeri me ndjeshmëri patriotike dhe shpirt aktivisti, gjatë qëndrimit në Greqi, u bë nismëtar për krijimin e degës së shoqatës Labëria dhe, për pak kohë, ishte edhe drejtuesi i parë i saj.
Por ajo që i jepte kuptim qenies së tij dhe i mbushte shpirtin, ishte dashuria për këngën labe. Kënga labe do të bëhej edhe atje, në mërgim, shenja identitare kombëtare dhe streha e ngushëllimit në dheun e huaj. Miqtë e tij dhe dashamirësit e këngës labe, edhe atje në Athinë, do të mblidheshin rreth këngës së tabanit dhe përmes saj do të shfrenin dertet e tyre dhe shprehin vetëdijen e të qenët shqiptar. Mallin për vendin e tyre dhe hallet e refugjatëve në dheun e huaj Zahua do t’i sintetizonte në vargjet e këngës:
Shokë të na vejë kënga/ Zëmër-o/ Se kemi halle të rënda/Se kemi ikur nga rrënja / Nuk e di ku na ka mëma.
Pasioni për këngën labe e njohu dhe e lidhi me miq nga trevat e Labërisë, me djemtë virtuozë nga Nivica, Kuçi, Rexhini, Vermiku etj., të mbledhur rreth grupit polifonik, të pagëzuar me emrin kumptimplotë Lot Kurbeti.
Krijimtaria e Zaho Balilit shënon rreth katërqind tekste me poezi, vjersha dhe këngë dhe mbi njëqind këngë të kënduara nga grupe të ndryshme labe në Tepelenë, Vlorë, Gjirokastër, Greqi etj.Gjithë krijimtaria e tij rapsodike ruan frymën e traditës së vjershërimit popullor dhe e ripërtërin atë, me vargje të selitura dhe motive të reja poetike. Krijimet më të mira të tij vishen me sharmin e një poetike të kultivuar dhe mjeshtërore për nga delikatesa, figuracioni dhe fantazia krijuese.
Nisur nga kjo krijimtari e begatë, nga fryma, forma dhe figuracioni, ta quash Zaho Balilin rapsod, është pak. Ta quash poet, nuk është e tepërt. Po, Zaho Balili kishte shpirtin e një poeti të kultivuar, edhe kur penën e ngjyente në buronjat e begata të vjershërimit popullor.
Në këngët dhe tekstet poetike që botoi në pesë libra, do të derdhte të gjitha dallgëzimet e shpirtit të shqetësuar: brengat dhe dertet, mallin dhe nostalgjinë, dhimbjen dhe pikëllimin, prushet e dashurisë dhe krenarinë për Labërinë e tij. Në një nga vjershat e tij shkruan:
Në këngë derdha merak / Derdha dhimbje, derdha mall/U rrit kënga pak nga pak/Do më shpjerë gjer në varr. (Brengat e shpirtit, f 32)
Krijimtaria e tij rapsodike dhe poetike, nga pikëpamja e motiveve, strukturohet rreth tri boshteve tematiko-ideore:
-Këngët dhe vjershat me tematikë historike, kushtuar Labërisë, heronjve dhe bukurive të saj natyrore
-Këngët me tematikë sociale aktuale (mërgimi, jeta politike, dramat e njerzëve të thjeshtë, pozita e gruas në shoqëri, etj.)
-Këngët liriko-erotike, për dashurinë si ndjenjë, përjetim, mall, brengë dhe ngazëllim të shpirtit.
Në këngët dhe vjershat me tematikë historike përcillet jehona e bëmave të lavdishme të Bilbilenjve, Hamit Gugës, Hodo Nivicës, Selam Musait, Avni Rustemit, shprehet krenaria dhe nderimi për dëshmorët dhe heronjtë e luftës të trevave të Labërisë.
Labëria në vargjet e tij është krenari, tempulli i lavdisë, vatra e trimërisë, besa e burrave që i dalin zot vatanit.
Vargje të ndjera dhe plot veneracion, Zaho Balili shkruajti për njerëzit e artit dhe kulturës, për valltarin famëmadh Alush Milori, për marrësin e shquar të këngës bënçore Golik Jaupi, për bardin e polifonisë së Bregut, Lefter Çipa, për poetin e madh Dritëro Agolli etj. Në vargjet e poetit derdhet dhimbja për miqtë e humbur dhe djemtë e aksidentuar në Tepelenë apo rrugëve të kurbetit.
Si qytetar atdhetar, i mbrujtur me traditat më të mira të Labërisë dhe si krijues me shpirt të ndjeshëm dhe human, Zaho Balili do të përjetonte dhe pasqyronte në vargjet e tij dukuritë e reja sociale, udhëkryqet e kombit, braktisjen e vendit, dramat e emigracionit, fatin e rinisë rrugëve të botës dhe fëmijëve të mbetur jetimë, dhimbjen e nënave për djemtë e humbur rrugëve të kurbetit .
Na u bë jeta borimë/ lanet kush nxorri mërgimë/ mbushur vëndi me jetimë/ mori loti rrokullimë
Në kohën e eksodeve biblike dhe emigracionit masiv të shqiptarëve, makineria e ndryshkur e këngëve të dikurshme të kurbetit do të vihej në lëvizje. Antenat e ndjeshmërisë të krijueseve popullore do të kapnin dhimbjet dhe tragjeditë e reja të emigracionit klandestin.
Emigracioni me peripecitë, hallet, diskriminimin dhe dramat e refugjatëve, shënjuan thellë shpirtin e Zaho Balilit dhe vjershërimin e tij të ndjerë me këtë tematikë. Jo më kot, një nga librat e tij me poezi, mban titullin Lot kurbeti.
Loti hidhur i kurbetit
Si nëntë ballet e detit
Gjeografia e ngjarjeve që përjetoi vendi në vitet e para të tranzicionit, kthehet në penën e tij në një topografi të dhimbjeve të kombit. Në vargjet dhe këngët e ngritura pulson shpirti i poetit për hallet e Shqipërisë, shprehet dhimbja për të mbyturit në Otranto, për trazirat dhe jetët e humbura në vitin e mbrapshtë ’97, për djemtë e mbetur maleve të Greqisë dhe deteve për t’u hedhur në Itali.
Emigracioni masiv u përvijua si një hemoragji drobitëse për shoqërinë shqiptare. Kombi ndodhej përpara një sprove të madhe. Shqipërinë poeti e krahason me “një kasolle të mbetur shkretë/ me vështrim nga Perëndimi”. Por edhe kur “rrënja e lules është përgjakur” dhe “ rrënj’ e jetës është mpirë”, poeti lutet që kombi të bëjë durim dhe Zoti t’i japë forrë “edhe këtë herë” mëmës Shqipëri:
Detet kuje, malet gjëmë / bëj durim, e mira nënë/Bëj durim e shtrenjta jonë/Dhe në varr të themi Zonjë/ Mbërthyer rrënja për guri/ Si shqiponja për flamuri.
Me penën e tij Zaho Balili përcolli merakun e nënave zëmërdredhura për djemtë “e ikur atëhëna”. Brenga e madhe të emigrantit për vdekjen e nënës do të derdhej plot dhëmbshuri në një nga këngët më prekëse të krijuar prej tij, Balada e nënës, interpretuar me zërin drithërimë nga virtuozja Vitori Balili, Mimoza Kosturi, nga këngëtaret Aurela Gaçe, Irini Qiriaqi etj.
Udh’ e largët më kish marrë / gji e zemër më kish tharë/ era vjen më thotë dy fjalë / ulërinte si e marrë/ erdha s’të gjeta të gjallë/ u ula të putha gjirin e tharë/ po dot nuk ta nxorra mallë/ nënë moj e mira nënë/ det’ i thell e i pamatur, dhëmbshurie / sa më prite atë natë, ti e dije.
Në këngën O ju djem që çatë detin –një nënë pyet me zëmër të dredhur emigrantët, për fatin e djalin e saj:
Mos e pate atëhëna/Hodhi këmbën val mbi vale/Më qan syri, mu ça zëmra.
Imazh poetik është biblik. Sepse vetëm Jezusi, Biri i Zotit, eci përmbi det. Dhe Djemtë shqiptarë, të cilët të detyruar nga halli, çanë detet, “hodhën këmbët vale mbi valë”, ikën me fuçi dhe skafe nëpër netët e skëterrëshme, për të mbërritur në brigjet e “tokës së premtuar”.
Këngët kushtuar dramave të emigracionit kullojnë dhimbje dhe janë plot imazhe tronditëse: një emigrant ka mbetur mes maleve me borë dhe një shqiponjë fluturon mbi atë bardhësi që vret. Emigranti flet me shqiponjën dhe i lë një amanet:
Aman, në më vafsh në Vlorë/Të m’i thuash nënës korbë/Mua të mos më kërkojë.
Jehonat e këngëve të nizamëve të mbetur përtej urës së Qabesë, vijnë në bashkëkohësi si amanete të refugjatëve klandestinë të mbetur në male në kapërcimin e kufijve.
Zaho Balili me talentin dhe penën e tij, përcolli artistikisht jo vetëm dramat dhe dhimbjet e botës shqiptare, por edhe cilësitë e labit për qesëndisje, shpotitje dhe ironi. Në mjaft nga vjershat e tij pasqyrohet trajtimi humoristiko-satirik i dukurive sociale, i raporteve burrë-grua, qesëndiset demagogjia e politikanëve për meritokracinë, fshikullohen dukurive negative të trafikimit të femrave, braktisjes së fëmijëve etj.
Labi i ka kënduar me zjarr të epërm trimërisë dhe plot pasion dashurisë. Në vargjet dhe këngët me motivin e dashurisë, Zaho Balili shprehu ndjenjat trazuese që sjell përjetimi i dashurisë në shpirtin sa të sertë aq dhe të ndjeshëm të labit. Grekët e lashtë dhe romakët Dashurinë e përfytyronin si një ëngjëll me hark e shigjetë në dorë. Dashuria nëpër vargjet e Zaho Balilit perceptohet si frymë që pranveron shpirtin, por edhe si flakë që përvëlon dhe plagos zemrën:
Pashë një bandille/ që lahej tek kroi/ një labe si vita/ rritur si lastonjë/ floku tëndlinë/si mëndafsh në dorë / ç’ma plagose zëmrën , moj / kush do ma shërojë?
Vjershat me tematikë liriko-erotike përcjellin emocionalisht vibrimet e brengës dhe të mallit, të dëshirimit dhe afshit dashuror. Dashuria shpaloset në të gjitha nuancat e saj, herë si ëndërr djalërie, herë si zjarr që djeg nga pritja dhe padurimi. Puthja është çelësi për hapjen e portave të dashurisë:
Ajo Lirua sumbulleshë/ kur më shkon posht e përpjetë/ t’i puth ato faqet shegë/ pa të tjerat vijnë vetë
Dashuria herë vjen si përmallim për kohën e shkuar dhe herë shpërthen si prush përvëlues i takimit me vashën:

Moj portokallia nga Vlora/ sa të gjeta si durova/ puth e puth mallin s’ta nxorra/ puth e puth s’ta nxorra mallin/ puth e puth s’ta shova zjarrin.

Vjershat dhe këngët për sevdanë e djalërisë edhe pse të shkruara në vetën e parë, përtej përjetimit personal, rezonojnë me çdo zemër që u përvëlua nga prushet e saj. Vasha labe bëhet burimi i frymëzimit dhe muza e poezive me frymën e dashurisë:

O ju, të bukura vasha / sonte mos më lini vetëm/ po s’gjeta tek ju burimin / thomëni, ku ta gjej tjetër? (Drithërimat e pranverës, 1998)
Vasha e dashurisë nëpër vargjet e tij vjen si realitet dhe fantazi e përndezur, ajo është “nepërka gushlarike”, “kryebejka në kope” “thëllëzë përmbi Golik”, “sorkadhe mbi krua”, me flokun e mëndafshtë, gërshetën e florinjtë, faqe shegë e gushëbaradha si dëbora, me “vetulla si presë jatagani” dhe “nazemadhe si ngjala në det”.
Në tekstet dhe këngët lirike ( Dola një natë me ty, Merr koburen vramë moj, Tek bajamja në avlli, Thëllëz e Golikut, Një behar e dy-tri hënë etj.) dashuria përjetohet si mall dhe vishet me velin e një pikëllimi të brëndshëm. Kjo ndjesi përftohet nga fjalët e tekstit, por edhe nga vija melodike e këngëve, nga të kënduarit e shtruar dhe isua që derdhet si një mërmërimë drithëruese.
Ndjesia e një dhimbjeje të sfumuar, si tipari këngëve polifonike labe, edhe kur i këndohet dashurisë, vjen si jehonë dhe rrezatim i atij shtrati arkaik prej të cilit ajo lindi, pra e vajtimit me ligje, si një traditë e lashtë e Labërisë.
Adhurimi për vashën dhe brenga për dashurinë e pamundur shprehet emocionalisht në këngën Merr koburen vramë moj. Bukuria e vajzës është magjepsëse: si ylli mes yjesh / jeshe moj e shkretë. Kujtimi i saj do ta ndjekë djalin edhe përtej jetës: për ty vogëlushe moj, dheu s’do më tretë.
Subjekti lirik ngjitet lart në mal, “në gërxh e në majë”, më afër qiellit si simbol i ideales, por brenga e dashurisë që i bren shpirtin, duket se e rrokullis teposhtë, atje ku ndodhet toka e telasheve dhe vasha që i ka rrëmbyer zëmrën:
Kjo është “dashuria që trondit një burrë” sikurse këndoi Lasgush Poradeci. Kjo është sevdaja që i djeg shpirtin një djali dhe e bën të lëngojë. Për vajzën thuhet vetëm kaq: e derdhur nga vendi! Dhe ne duhet ta përfytyrojmë këtë vajzë me cilësitë më të mira të vendit ku ka lindur: e bukur si lulet e Këbusit, farfuritëse si bora në majën e Këndrevicës, me buzën “shegë e çarë” dhe flokët si trëndelinë. “Bejka e bardhë” e Lefter Cipës është ilaçi shërues i çobanit. Lirika e Zaho Balilit është ajo që të fut në maraz e të luan nga fiqiri.
Zaho Balili iku nga kjo jetë (në vitin 2001, në prag të pesëdhjet vjetorit të lindjes) në kulmin e krijimtarisë së tij dhe ende i ri. Çfarë do të kishte nxjerrë pena e tij e spikatur nëse do të ishte gjallë? Askush nuk e di. Ama një gjë është e qartë: pena e tij ka lënë pas një krijimtari të begatë me këngë labe të kënduara–pjesë e qarkullimit folklorik dhe me tekste të muzikuara nga këngëtarë të ndryshëm të muzikës folklorike.
Nisur nga kontributi dhe meritat e tij në zhvillimin dhe pasurimin e traditës së këngës labe, Zaho Balili ka marrë (pas vdekjes ) disa vlerësime dhe mirënjohje si: Qytetar Nderi i Tepelenës, është dekoruar nga Presidenti Republikës me Urdhrin Naim Frashëri i Argjendtë. Gjithashtu, për kontributin e tij në lëvrimin e polifonisë labe është shapllur Qytetar Nderi i Qarkut të Gjirokastrës dhe është vlerësuar me tituj mirënjohjeje nga disa shoqata atdhetare dhe kulturore.
Miku dhe bashkëqytetari i tij, rapsodi me emër i grupit të Bënçës, Maliq Lila, në elegjinë e shkruar ditën e përcelljes për në banesën e fundit të Zaho Balilit, ndër të tjera, nënvizoi:

Kush e la shpirtin tek kënga/ Vetëm trupin i mban dheu
Dhe kështu është. Trupi i Zaho Balilit prehet në varrezat buzë Vjosës, poshtë mureve hijerënda të kalasë së Ali Pashë Tepelenës. Ndërsa shpirti i tij bleron në çdo stinë, në malin e këngëve që la pas.
Gjithë sa bëri për këngën labe, si krijues dhe vjershëtor i spikatur, si organizator dhe drejtues i grupeve folklorike, si pjesë e asaj përpjekje atdhetare për ruajtjen dhe zhvillimin e thesareve të këngës polifonike labe- është një gjurmë e patretur nga koha.
Eshtë shenja e një shpirti të drithëruar në panteonin e këngës labe.

Marrë nga Konica.al